Serbia epiqendër e kontrabandës me kokainë në Evropë, arrestohen 13 anëtarë të “kartelit ballkanik”

Mladen Lazareviq, Miroslav Starçeviq, Dragan Gjorgjeviq Gaga, Gligorije Peljeviq dhe nëntë persona të tjerë u arrestuan nën dyshimin se ishin anëtarë të “kartelit ballkanik” dhe u akuzuan për organizim të kontrabandës ndërkombëtare të kokainës.

Ky grup i organizuar kriminal, i cili përbëhet nga 20 persona, dyshohet se është i përfshirë në tregtinë ndërkombëtare të drogës. Përkatësisht, organizatorët dhe anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal dyshohet se gjatë vitit 2020 kanë marrë pjesë në blerjen dhe transportimin e më shumë se gjashtë tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe Serbisë.

Gjatë hetimeve paraprake u sollën prova në lidhje me përdorimin e aplikacionit Sky nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare, si dhe prova në lidhje me sekuestrimin e subjekteve nga vende të tjera, kryesisht nga Republika e Francës.

Në territorin e Serbisë, 13 personave u është hequr liria, nga shtatë personat të cilëve nuk u është hequr liria, dy persona janë duke vuajtur dënimin me burgim ose paraburgim sipas vendimeve të Mbretërisë së Holandës dhe Republikës së Perusë, një person është në paraburgim në bazë tjetër në Nish dhe katër janë në arratisje.

Në shkurt të vitit 2022, ky grup i organizuar kriminal, i cili vepronte edhe në zonën e Karaibeve të Arubës, kontraktoi një pagesë prej 4.5 milionë eurosh për vetëm një dërgesë droge.

Kërkimet janë duke u zhvilluar në disa lokacione.

Policia në afatin e paraparë me ligj do t’i sjellë të dyshuarit në Prokurorinë Publike për krim të organizuar me kallëzim penal dhe më pas do të merren në pyetje.