Veljko Odaloviq

Serbia e vlerëson si pozitiv faktin që Kosova i ktheu mbetjet e tre trupave të vrarë gjatë luftës

Kreu i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur, Veljko Odalovic, ka deklaruar sot se është një zhvillim pozitiv që Kosova ka identifikuar dhe ka kthyer trupat e tre serbëve, zhdukja e të cilëve ishte raportuar që në vitin 1999.

Odalovic ka thënë  se shpreson që kjo do të intensifikojë procesin e identifikimit të personave të zhdukur, pasi sipas tij “në morgun e Prishtinës ende ka më shumë se 300 mbetje të paidentifikuara”

“Një moment i mirë për ato tre familje, një moment i mirë për procesin, një moment i mirë për rikthimin e shpresës për familjet dhe që ky proces të intensifikohet. Sepse ka më shumë se 300 trupa ose pjesë trupash në morgun e Prishtinës që ende janë të paidentifikuara,” ka thënë ai për tanjug.

Mbetjet e tre trupave të qytetarëve serbë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, u janë dorëzuar autoriteteve të Serbisë, të martën më 18 qershor, në pikën kufitare në Merdarë.

Sic u raportua, bëhet fjalë për trupat e Svetisllav Xhapos, Perka Mlladenoviqit dhe Momir Millenkoviqit..