Serbi i vrarë në Libi si pjesë e mercenarëve rusë ishte plagosur nga UÇK-ja në Dukagjin FOTO

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, javën e kaluar në luftime afër Tripolit të Libisë është vrarë një pjesëtar i grupit paramilitar famëkeq “Wagner”, i cili në kohën e fundit po luftonte në krah të forcave të Gjeneralit prorus Haftar.

Ndërsa, më vonë, në mediat sociale të po këtyre vendeve, kuptohet se i njëjti është Aleksa Duriq (Aleksa Duric) dhe ishte serb nga Kosova, i cili kishte marrë pjesë edhe në luftën okupuese serbe në Kosovë gjatë vitit 1998 – 1999. Këtë e dëshmojnë edhe fotografi të botuara në këto media.

Ministria e Punëve të Jashtme të Libisë, e njohur nga Kombeve të Bashkuara, ka raportuar se trupi i mercenarit u gjend në regjionin e Salahadinit, shkruan Ballkani.info.

Pas luftimeve të ashpra, ku një pjesë e mercenarëve rusë ishin tërhequr nga pjesa jugore e Libisë pas sulmit të forcave qeveritare, trupi i serbit kishte mbetur aty.

Duriq kishte luftuar si mercernar i forcave ruse edhe në Siri.

Gjatë luftës në Kosovë, thuhet se Duriq ka marrë pjesë në luftime si pjesë e “Tigrave” të Arkanit.

Fotografitë në Kosovë

Për të thuhet se ishte plagosur rëndë nga UÇK-ja në Zonën Operative të Dukagjinit, por kishte arritur t’ju mbijetonte plagëve.

Fotografi të Duriqit gjatë luftës në Kosovë janë publikuar pas vrasjes së tij në Libi.

Agjencia turke e lajmeve “Anadolu”, thotë se në ditët e sotme më shumë se njëmijë mercenarë nga Rusia janë duke luftuar në anën e Haftarit, të cilët u transferuan në Libi përmes grupit paramilitar “Wagner”.

Grupi “Wagner” udhëhiqet nga Jevgeni Prigozhin, ose i njohur ndryshe si “Kuzhinieri i Putinit”. I njëjti akuzohet se është themeluesi dhe udhëheqëesi i Agjencisë së Kërkimit në Internet (Internet Research Agency – IRA), e cila merret me ndërhyrjet e Federatës së Rusisë kryesisht në zgjedhjet e vendeve perëndimore.

Përkrah forcave ruse në Rusi dhe së fundmi edhe në Libi, ka pasur shumë serbë, kryesisht që kanë qenë pjesë e të ashtuquajturve “Tigrat” e Arkanit.