Serbët i kaplon frika nga Shaqiri, thonë se Zvicra e ka ruajtur atë “qëllimisht” në ndeshjen ndaj Serbisë

Zvicra dhe Serbia do ta zhvillojnë nesër (e premte) ndeshjen vendimtare të grupit G në Kupën e Botës “Katar 2022”.

“974 Stadium” do të jetë nikoqir i kësaj ndeshje që do ta vulosë kombëtaren e dytë që kualifikohet nga ky grup pas Brazilit.

Zvicra kualifikohet tutje edhe me një barazim, por që Serbisë i duhet vetëm fitorja për të avansuar në fazën e eliminimit direkt.

Në ndeshjen e kaluar që Zvicra e luajti ndaj Brazilit ku humbi 1:0, Xherdan Shaqiri nuk luajti fare për skuadrën e Murat Yakin shkaku i një lëndimi në kofshë.

Por, në Serbi mendojnë më ndryshe.

Mediumi kontravers, “Kurir.rs” shkruan se trajneri Yakin ka ruajtur Shaqirin për ndeshjen ndaj Serbisë.

“Xherdan Shaqiri me siguri do të luajë për Zvicrën të premten ndaj Serbisë në ndeshjen vendimtare për të dyja kombëtaret në Katar. ‘Kurir’ mëson se Yakin e ka ruajtur qëllimisht Shaqirin për këtë ndeshje”, shkruan mes tjerash ky medium.

Ndryshe, ndeshja në fjalë luhet të premten nga ora 20:00./FrontOnline/