Chris Murphy

Senatori Murphy: Sulmi në Banjskë ishte i mirë-koordinuar, kishte qëllim provokimin e një konflikti më të gjerë

Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili ka qenë për vizitë disa herë në Kosovë, ka thënë se ata që kanë vrarë rreshterin kosovar, Afrim Bunjaku, duhet të mbahen përgjegjës.

Murphy ka thënë se pasojat e sulmit të 24 shtatorit kanë mundur të jenë katastrofale, duke potencuar se armatimi i rëndë që është përdorur tregon se ka qenë një sulm i mirë-koordinuar dhe që ka synuar qëllimshëm të provokojë një konflikt më të gjerë.

Senatori amerikan ka thënë se është i shqetësuar që lirimi i Milan Radojiçiqit nga Serbia, i cili edhe ka pranuar se qëndron prapa 24 shtatorit, do të rris tensionet edhe më tej në mes të Serbisë dhe Kosovës, dhe do të minojë edhe përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve që palët kanë marrë nga Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Brukseli.

“Vuçiq duhet të marrë hapa të menjëhershëm për de-eskalim dhe të sigurohet që do të ketë llogaridhënie për këtë akt qyqar”, ka shkruar Murphy.