Senatorët amerikanë nisin vizitat në Serbi, Vuçiq ua kërkon Asociacionin

Senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters në vizitën e tyre zyrtare në rajon sot janë duke qëndruar në Serbi.

Atje janë pritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin folën për marrëveshjen me Kosovën. Siç njofton vetë Vuçiq në Instagram, atyre i ka kërkuar që Kosova të formojë Asociacionin siç është nënshkruar në marrëveshjen e Brukselit.

“E theksova se prioritet është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, si dhe se do të vazhdojmë të insistojmë në zbatimin ekskluziv të vendimit për Asociacionin ashtu siç është paraparë në Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Ai shton se kanë biseduar edhe për shumë çështje të tjera me interes për të dy vendet, si dhe se ka ripërsëritur “vendosmërinë e Serbisë për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-në në bazë të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”.

Vuçiq pretendoi se “në veçanti Beogradi” që nga fillimi ka treguar seriozitet dhe përgjegjësi në procesin e dialogut, derisa ka akuzuar Kosovën për “provokime të vazhdueshme dhe lëvizjeve të shumta të njëanshme, të cilat pengojnë gjetjen e një kompromisi dhe zgjidhjes së qëndrueshme”.

Ai ka përmendur nismën “Ballkani i Hapur” si agjendë të Serbiësë për “ruajtjen e stabilitetit në rajon” përmes ekonomisë.

““Ballkani i Hapur” promovon në mënyrë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse një politikë të orientuar drejt së ardhmes, duke u fokusuar në bashkëpunimin me përfitim reciprok”.