Sëmundja nuk ndalet/ Maqedonia zgjat orarin e restoranteve dhe kafeneve

Lokalet në Maqedoninë e Veriut më në fund po i rikthehen orareve të rregullta të punës, edhe pse nuk kanë të ndalur rastet e të prekurve me koronavirus.

Qeveria mori vendim që oraret e restoranteve dhe kafeneve t’i kthehen orareve të zakonshme para pandemisë, dhe jo siç ishte deri tani të mbylleshin në orën 22.00. Vendimi erdhi në vazhdën e shqyrtimit të një propozimi nga Komisionit i Sëmundjeve Ngjitëse në Ministrinë e Shëndetësisë, ku parashikohej ndryshimi orarit të punës për kafenetë, restorantet dhe të gjitha objektet gastronomike.

Ligji hyn në fuqi sot pas botimit ne fletoren zyrtare. Pjesa më e madhe e lokaleve mund të punojnë deri në ora 24:00, ndërsa disa të tjerë janë lejuar deri në ora 01:00 pas mesnate. Gjatë javës tjetër pritet të ketë vendim edhe për hapjen e kufijve pa kushte – pa testin për koronavirus dhe pa karantinën 14 ditore.

Qeveria është shprehur optimiste se do të ketë vendim pozitiv edhe nga Komisioni për sëmundje ngjitëse. Ministria e Punëve të Brendshme sakaq njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në mbarë vendin, 566 personave u është dhënë vendim për izolim.