analisti

“Semafori i kuq i Metës për Ramën ishte sa i gjithë volumi i punës së opozitës në një vit”

A është thjesht një matje forcash në distancë, apo pritet një përplasje reale President-Qeveri?

Pse po e pret qeveria presidentin Meta për rishqyrtimin e vendimit për të dekretuar Sandër Leshin ministër të Brendshëm? A është presidenti pjesë e skenarit të opozitës për të rrëzuar qeverinë?
Këtyre pyetjeve iu është përgjigjur si i ftuar i gazetarit Denis Dyrnjaja në emisionin “Top Talk”, analisti Artur Zheji. Ai e konsideroi veprimin e Metës si të parin “semafor të kuq” të bujshëm ndaj kryeministrit Rama.

Këtyre pyetjeve iu është përgjigjur si i ftuar i gazetarit Denis Dyrnjaja në emisionin “Top Talk”, analisti Artur Zheji. Ai e konsideroi veprimin e Metës si të parin “semafor të kuq” të bujshëm ndaj kryeministrit Rama.

“Nuk i zë besë kryeministrit kur flet për krisje, sepse pak kohë më parë ka thënë se Meta ishte presidenti më i mirë i të gjitha kohërave, aq sa shumë aluduan se marrëdhëniet PS-LSI apo më saktë mes Metës dhe Ramës ishin përmirësuar në mënyrë befasuese. Duke i besuar Nikollë Lesit, thuhet se ai ka ndërruar fjalim në momentin e fundit, pasi do të thoshte ‘çarje’ dhe përfundoi te ‘krisja’. Duke qenë se kryeministri shet për fat të keq më shumë formë sesa përmbajtje, do të thoja se ka një mospajtim midis qëndrimit kryeministror dhe sidomos atij presidencial. Mendoj gjithashtu se Rama pati më në fund një pengesë, një ‘semafor të kuq’ institucional të bujshëm. Ka pasur disa të tillë, sidomos për marrëveshjen e detit, teatrin po e konsideroj si çështje të vogël, por këtu pati bujë, sepse Rama mendoi se këshilltarin e tij mund ta katapultonte nga paradhoma e tij në postin e ministrit”, u shpreh Zheji, që deklaroi gjithashtu se kjo është më shumë sesa krisje, ndoshta një ndarje.

E pavarësisht gjithë këtij “frustrimi” ndaj kësaj qeverie, njerëzit sërish nuk dalin në rrugë për problemet e tyre. A vjen kjo sepse shqiptarët janë të lodhur, nuk kanë shpresa tek opozita, apo sepse bien dakord me kryeministrin e përkufizuar nga vet Zheji?

“Gjithë presioni i njerëzve që kanë një konstrukt intelektual e social, apo zanatçinjtë e profesionistët e zotë, të cilët kanë kuptuar se nuk mund të kenë më shpresë e besim këtu, kanë zgjedhur të largohen duke ulur presionin social. Kjo, ndryshe nga ç’ndodhi në vitet ’90, kur ish-kryeministri Ramiz Alija hapi ‘valvulën’ e tenxheres me presion për t’i nxitur shqiptarët më të irrituar drejt ambasadave. Sot nuk i ke më në rrugë, por i ke nëpër aeroporte apo porte. Presion social, si kulturë ne kemi pasur, e këtë e tregoi protesta kundër armëve kimike në 3 javët e para të kësaj qeverisjeje. Nëse kanë zgjedhur mënçurisht apo në mënyrë të trishtueshme, këtë nuk e them dot, por ata mendojnë se më mirë bëjnë gati një valixhe”, deklaroi Zheji.

Zheji iu përgjigj edhe pyetjes nëse pas këtij “semafori të kuq” të presidentit fshihet opozita, apo nëse ka një lloj bashkërendimi mes qëllimit të opozitës për të krijuar një krizë institucionale dhe kreut të shtetit.

“Unë besoj se edhe opozita, PD-LSI, është gjetur e befasuar nga reagimi i presidentit. Të befasuar madje janë ndierë shumë njerëz. Fakt është që Rama foli për krisje dhe jo për çarje dhe as nuk e përmendi fjalën ‘impeachment’ që do të thotë tentativë për të shkarkuar presidentin”, deklaroi Artur Zheji, i cili e cilësoi aktin e presidentit Meta si të barabartë me të gjithë volumin e opozitës shqiptare të një viti.