Selmanaj përplaset me Muratin: “Ne nënshkruam Marrëveshjen e Washingtonit – në Shtëpinë e Bardhë, ju në vilën e Titos në Ohër”

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, kanë pasur një debat gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës

.Shkas u bë përmbajtja e Deklaratës për të Zhdukurit, e cila u miratua të martën në Bruksel, ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Fillimisht, Murati nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ia përmendi Selmanajt Marrëveshjen e Washingtonit, e cila ishte arritur në kohën kur LDK-ja drejtonte qeverinë.Sipas Muratit, në atë marrëveshje nuk figuron as emri i shtetit të Kosovës, por përmendet vetëm Prishtina.

Prandaj, shefi i kuletës kosovare iu drejtua Selmanajt se nuk ka të drejtë as morale e as profesionale të flasë për këtë çështje.

“Për t’ua kujtuar çka kanë nënshkruar. Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe të identifikojnë mbetjet e personave të humbur, pikë. Më poshtë thotë do t’i koordinojmë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, as emri i shtetit nuk figuron në marrëveshje, e s’po hy në teknalitetet. A keni qenë atë kohë, a e keni lexuar çka po nënshkruani, a e keni parë çka po thuhet në atë tekst. S’keni të drejtë morale as profesionale për të folur për këtë temë”, tha ai, për çka mori një kundërpërgjigje nga ish-zv/kryeministri Selmanaj.

Ligjvënësi opozitar iu drejtua Muratit me fjalët “ti djalë i mirë”, teksa ia kujtoi atij që marrëveshja mes Kosovë dhe Serbisë ishte arritur në Shtëpinë e Bardhë e jo në vilën e Josip Broz Titos.

Në këtë vilë, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq arritën një marrëveshje më 18 mars për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Në atë marrëveshje, Selmanaj thotë se Kosova e ka amnistuar Serbinë për krimet e kryera në vendin tonë.

“Në Marrëveshjen e Washingtonit, ti djalë i mirë që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë, e jo në vilën e Titos në Ohër, jemi marrë vesh për zotime, këtu ke nënshkruar marrëveshje ku e ki amnistu Serbinë dhe e e ka barazuar përgjegjësinë për të zhdukur në Kosovë, dhe ia ke hequr mundësinë që njerëzit me pasë të drejtë me kërku kompensim”, tha Selmanaj.

“Këto janë dëmet e mëdha, edhe tri jetë me i pasë, s’ke me mujt me mbërri 9 muaj, sa kemi arritur na me çu Kosovën në Shtëpi të Bardhë, me Marrëveshjen e Washingtonit. Këto defekte s’mundem me ua shëru unë. As juve, as ky që po të mëson çka me fol, as ai që po të shikon në televizor dhe po të shkruan sms çka duhet me thonë. S’mundem këto komplekse me ua shëru”, shtoi Selmanaj.