Selimi vizitoi familjen e dëshmorëve Mëziu: Zemra e Nënë Nailes është dhimbja e së kaluarës sonë, qëndrueshmëria e i saj, shtylla e së ardhmes sonë

Në prag të ndërrimit të vitit, ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka vizituar familjen e dëshmorit Zenel Mëziu dhe të martirëve Ajet dhe Nezir Mëziu nga Morina, komuna e Skenderajt.

Selimi duke shprehur nderime për familjen Mëziu ka thënë se qëndrueshmëria e Naile Mëziut është shtylla e së ardhmes.

“Sot vizitova familjen Mëziu ku bashkëbisedova me Nënën Naile, të cilës dy djemtë i vdiqën për atdheun.  Ajo ende po kërkon burrin e saj dhe djalin e tretë që janë të zhdukur që nga lufta. Zemra e Nënë Nailes është dhimbja e së kaluarës sonë dhe qëndrueshmëria e saj është shtylla e së ardhmes sonë”, tha Selimi.​

Selimi tha se Kosova asnjëherë nuk do t’i harroj dëshmorët e martirët që dhanë jetën për këtë vend.

” Secilën ditë kujtojmë me nderim të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës dhe jetojmë me zotimin se asnjëherë nuk do të ndalim përpjekjet për ta ndriçuar fatin edhe të njeriut të fundit të Kosovës të zhdukur gjatë luftës. Kosova nuk do t’i harrojë kurrë!”, tha Selimi.