Sekuestrimi i pasurive të paligjshme të oligarkëve rusë në vendet e Perëndimit, mundësia për ta mposhtur regjimin e Vladimir Putinit

Në muajt e fundit, struktura politike në Perëndim ka arritur një konsensus lidhur me regjimin e Vladimir Putinit. Një fazë tjetër e sanksioneve kundër veprimtarive të tij malinje është i pashmangshëm.

Sidoqoftë, për t’i bërë sanksionet me të vërtetë efektive, Perëndimi duhet të ketë në shënjestër oligarkët rusë të korruptuar që mbështesin këtë regjim. Si të tilla, këto masa do të ndihmojnë në pastrimin e sistemeve financiare nga pasuritë kriminale ruse dhe dobësimin e regjimit. Më 18 mars 2014, Putini kishte mbajtur një fjalim solemn në Kremlin në atë që ka qenë de facto aneksimi i Krimesë nga Rusia. Në të, ai huazoi argumente dhe figura retorike nga fjalimi famëkeq i Adolf Hitlerit në Sudeten.

“Danzig ishte dhe është një qytet gjerman. Korridori ishte dhe është gjerman. Të dyja këto territore i detyrohen zhvillimit të tyre kulturor ekskluzivisht popullit gjerman”, kishte thënë Hitler në fjalimin e tij në vitin 1939 nga Reichstagu. Kurse 75 vjetë më vonë, Putin bëri jehonë duke thënë se, “në zemrat dhe mendjet e njerëzve, Krimea ka qenë gjithmonë një pjesë e pandashme e Rusisë”.

Deri në këtë moment tronditës, regjimi i Putinit ishte i kufizuar në plaçkitjet brenda Rusisë, e cila lejoi Perëndimin, kur ishte e nevojshme, të mbyllte sytë për atë që po ndodhte. Elita kleptokratike e Putinit – shërbimet speciale, grupet e legalizuara kriminale dhe oligarkët besnikë – po vidhnin nga populli rus, por preferuan të mbanin plaçkën në Perëndim, ku të drejtat e tyre të pronës dhe stili i jetës luksoze mbroheshin nga sundimi i ligjit.

Deri në vitin 2014, duke grumbulluar kapital dhe ndikim të mjaftueshëm në Perëndim, elita e Putinit shkoi më tej dhe kërkoi për vete një status të veçantë në arenën ndërkombëtare, duke propozuar një Marrëveshje të re të Jaltës, që do të ndante përsëri botën në zona të ndikimit. Aneksimi i Krimesë dukej se kishte një efekt kthjellues në Perëndim. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ekonomike dhe personale kundër Rusisë dhe elitës së Putinit. Është dashur një fushatë masive nga Kremlini për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, që të zgjoj plotësisht institucionet perëndimore, duke i detyruar ato që llogarisin kërcenimet e ardhura nga regjimi i Putinit.

Në muajin janar të 2017-së, Kongresi amerikan prezantoi Aktin e Kundërvënies së Armiqve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA), që u miratua pothuajse unanimisht shtatë muaj më vonë. Sipas Aktit, brenda 180 ditëve inteligjenca financiare duhej të paraqiste në Kongres një raport mbi pasuritë e akterëve politikë të lidhur ngushtë me regjimin rus. Të gjithë personat kryesorë të Putinit, si dhe pasuritë e tyre në Shtetet e Bashkuara, ishin identifikuar shumë kohë më parë, por e vetmja gjë që qeveria amerikane duhej të bënte ishte të bënte publik emrat e tyre dhe pastaj t’i nënshtroheshin ligjeve amerikane mbi pastrimin e paligjshëm të parave. Në mes të muajit nëntor të 2017-së, Këshilli Atlantik, një organizatë me bazë në Washington, publikoi raportin “Si të identifikoni elitën e Kremlinit dhe agjentët e saj?”, ku autorët e saj theksuan efektin kryesor të modelit të sanksioneve të propozuar nga CAATSA.

“Ky proces nga ana tjetër mund të çojë në veprime të ardhshme për të ngrirë pasuritë e individëve të korruptuar dhe nisjen e proceseve ligjore për t’i kthyer pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme nga populli rus”, thuhet në raport. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur kurrë. Siç ndodhi më vonë, një ditë para afatit të vendosur për Thesarin e SHBA-së që të publikoj emrat e individëve të korruptuar, tre spiunë të lartë rusë – drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Sergei Naryshkin; kreu Shërbimit Sekret, Alexander Bortnikov; dhe kreu i Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm, Igor Korobov – erdhën në Washington në një vizitë të fshehtë. Ata mbajtën një takim të mbyllur me Mike Pompeo, asokohe drejtonte CIA-në, gjoja për të diskutuar për problemin e Shtetit Islamik.

Në atë kohë, i ashtuquajturi “Raporti i Kremlinit”, tashmë ishte përgatitur për dorëzim në Kongres. Në mëngjesin e 30 janarit, raporti u bë publik, por versioni i lëshuar u duk se ishte ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme në momentin e fundit. Shumica e vëzhguesve me sarkazëm e përshkruan raportin si një “regjistër telefonik” i administratës presidenciale të Rusisë. Problemi ishte që neni 241 i CAATSA-së kërkonte që dega ekzekutive jo vetëm të siguronte një listë të njerëzve afër regjimit Putin dhe të përfshirë në aktivitetet e tij malinje, por gjithashtu të zbulonte informacione të hollësishme financiare, përfshirë pasuritë e tyre, burimet e të ardhurave, pronën në pronësi përmes anëtarëve të familjes dhe më kryesorja një listë e plotë e të gjitha pasurive të tyre nën juridiksionin e SHBA-së. Në vend që të bëhej publike, i gjithë ky informacion u transferua në pjesën e klasifikuar të raportit, duke mos lejuar që ajo të përdoret për qëllime ligjore.

E megjithatë, nën presionin e Kongresit, më 6 prill 2018, Thesari kishte vendosur 24 persona rusë – 7 oligarkë dhe 17 zyrtarë të nivelit të lartë – në listën e veprimtarive malinjë në të gjithë botën. Të gjitha pasuritë e tyre financiare në SHBA ishin të ngrira dhe çdo marrëdhënie financiare me ta e ndaluar. Sidoqoftë, nëntë muaj më vonë, një nga individët në këtë listë, Oleg Deripaska, pati sukses për heqjen e pjesshme të sanksioneve të vendosura ndaj EN+, një grup energjetik dhe metalurgjik që përfshin Eurosibenergo dhe UC Rusal. Për ta arritur këtë, ai hoqi dorë nga kontrolli mbi pasuritë e tij. Meqenëse UC Rusal është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të aluminit me karbon të ulët dhe i integruar thellë në biznesin ndërkombëtar, sanksionimi i tij goditi rëndë industrinë botërore të aluminit, e cila nga ana tjetër ndikoi në ekonominë amerikane, si pasojë dhe në politikë. Bizneset amerikane të Deripaskas kanë krijuar vende pune në shtetet që ishin thelbësore për rizgjedhjen e Trumpit. Disa politikanë me ndikim amerikan ishin palët e interesit në EN+.

Pas këtij precedenti, sanksionimi nga SHBA i pasurive kriminale ruse ka kaluar në qetësi. Sidoqoftë, gushtin e vitit kaluar, regjimi i Putinit tronditi përsëri botën duke u përpjekur të helmonte – me armë kimike – udhëheqësin e opozitës ruse, Alexei Navalny. Duke folur në Parlamentin Evropian, Navalny u bëri thirrje udhëheqësve perëndimorë që të vendosin sanksione ndaj oligarkëve të Rusisë, të cilët i shërbejnë regjimit të Putinit. Më parë, ai vuri në dukje se, “për një person normal, Deripaska, Vekselberg, Rotenbergs dhe Shamalovs janë armiq të Rusisë dhe popullit të saj”.

Ky mendim me siguri përkrahet nga 99 për qind e qytetarëve rusë. Washingtoni duhet të përfitojë nga kjo mundësi për të sanksionuar ata oligarkë të afërt me Putinin dhe për të ushtruar presion psikologjik dhe politik mbi regjimin e tij, duke gjeneruar njëkohësisht përkrahje masive në publikun rus. Regjimi i Putinit ka qenë duke zhvilluar një luftë të plotë hibride kundër Perëndimit.

Elitat perëndimore ishin të ngadalta dhe ngurruan të përgjigjeshin, gjë që e lejoi Putinin të arrinte disa fitore taktike. Perëndimi ende mund ta fitojë këtë luftë, duke treguar qartë se nuk i kundërvihet Rusisë ose rusëve, por elitës kleptokratike të Kremlinit, e cila ka grabitur dhe poshtëruar popullin e vet. Nuk është vonë për Perëndimin të ndryshojë rrënjësisht situatën dhe duke respektuar ligjet, t’i marr në menaxhim pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme nga elita e Putinit, derisa ato të transferohen në mënyrë të sigurt te pronari i tyre i ligjshëm. /Ballkani.info/