“Seksizëm, diskriminim, informacione të rreme”, si janë privuar nxënësit nga marrja e njohurive të sakta?

Librat shkollorë ani pse të destinuar që të bartin informata të sakta tek nxënësit, ndër vite kanë qenë të shoqëruar me gabime të shumta, duke filluar nga drejtshkrimore deri tek ato përmbajtjesore.

Ato para se të bëhen subjekt prej të cilit nxënësit marrin njohuri, kalojnë nëpër “filtrat’’ e ekspertëve të kontraktuar nga Ministria e Arsimit.

Por, faktet nga e kaluara dhe e tashmja tregojnë se ekspertiza e tyre nuk ka qenë e mjaftueshme sa të evitohen huqjet e shumta të shtypura në letër

Në vijim janë të paraqitura disa nga rastet e shumta ku tekstet shkollore kanë pasur përmbajtje jo të përshtatshme për nxënësit.

Librat shkollorë dhe diskriminimi i grupeve te margjinalizuara

Në raportin ku bashkë-përpiluese është organizata Terres des hommes, është konkluduar se nxënësit në tekstet e tyre shkollore nuk mund të gjejnë informacione të mjaftueshme mbi diversitetin dhe veçantitë kulturore të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë.

“Gjuha përjashtuese në bazë të përkatësisë etnike është veçanërisht e theksuar në tekstet shkollore të edukatës qytetare dhe historisë – të cilat janë të mbushura me glorifikime dhe ekzagjerime të pasurisë së një etnie (grupit shumicë) në krahasim me etnitë e tjera. Shembull në tekstin e edukatës qytetare të klasës se tretë, thuhet se “vendi jonë është Republika e Kosovës. Në të banojnë shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë, rom, etj”. Ky tekst si i tillë ka elemente të gjuhës përjashtuese për faktin se nuk specifikohen dhe nuk përmenden komunitetet e tjera (ashkalinjtë, egjiptasit dhe goranët) të cilat jetojnë në Kosovë dhe për më shumë njihen edhe si kategori kushtetuese”, thuhet në raport.

“Në po të njëjtin tekst, përmendet fakti se “shqiptarët, serbët, boshnjakët dhe turqit kanë simbolet e tyre etnike dhe kulturore”. Në këtë fjali, komunitetet e tjera jo shumicë në Kosovë nuk përmenden fare, duke nënkuptuar se grupet e tjera etnike si romët, ashkalinjtë, egjiptasit nuk shquhen për simbolet e tyre etnike dhe kulturore”, është cekur në raport.

Flamuri ndërkombëtar i romëve

Në analizën e teksteve shkollore po ashtu është evidentuar mungesa e plotë e përshkrimit të narracionit historikë të komuniteteve të tjera jo-shumicë në Kosovë, pra tekstet janë të karakterit etnocentrik.

Diskriminimi në mes të grupeve etnike që jetojnë në Kosovë është shprehur edhe formulimin “Shqiptarët janë tej mase të hijshëm e të matur në sjelljet e veprimet e tyre…ndoshta janë raca më e bukur nga tiparet”.

“Përshkrimet e tilla glorifikuese të një race kanë tendencën e ndërtimit të një sistemi shoqëror me dimension vertikal – ku e kemi një racë (dominante) në maje dhe gjitha racat e tjera (inferiore) të klasifikuara nën të. Kjo është e kundërta me ndërtimin e dimensionit horizontal të shoqërisë – e cila bazohet në premisën e barazisë në mes grupeve të ndryshme kulturore dhe etnike brenda strukturës shoqërore”, është thënë në raportin e lartcekur.

Diversiteti në Kosovë

Pos saj, diskriminimi është i shfaqur edhe tek mungesa e teksteve shkollore në teknikën akustike dhe digjitale, shkruan Insajderi.

Pra, nxënësit e verbër që vijojnë mësimet në shkollat e rregullta asnjëherë nuk kanë qenë të pajisur me libra me alfabetin braile ose me pajisje tjera alternative prej të cilave do të mund të mësonin.

Alfabeti Braille dhe tekstet shkollore

E, kjo neglizhencë e institucioneve është edhe shkelje e ligjit për personat e verbër, në të cilin thuhet se “Përdorimi i shkrimit Braille, shkrimit relievor, shkrimit me shkronja të zmadhuara dhe tekstet në teknikën akustike dhe digjitale duhet të sigurohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI)”.

Librat shkollorë, paragjykimi dhe stereotipat gjinore

Në raportin e “Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut” janë gjetur raste ku në tekstet shkollore është përdorur gjuhë diskriminuese në aspekt gjinorë.

Autorët e librit të psikologjisë për klasën e 11 njerëzve iu referohen si meshkuj dhe femra, e jo si gra dhe burra.

Ku, kjo ndikon në mos aftësinë e nxënësve që të dallojnë seksin dhe gjininë.

“Ende në këto tekste burrat dhe gratë mbërthehen brenda roleve të tyre gjinore dhe sjelljeve “tipike”, tradicionale. Në këto tekste tregohet se si “Loja më e këndshme e vajzave të vogla është ajo me kukulla”, apo se si “Meshkujt priren të luajnë me kamionë, aeroplanë dhe blloqe, ndërsa vajzat kryesisht luajnë me veshje, kafshë plastike të fryra, etj.”, thuhet në raport.

Në librin e po të njëjtës lëndë, janë të paraqitura edhe dallimet në funksion social, emocional e kongnitiv, mbi baza gjinore, të cilat teoritë e njohura psikologjike i kanë cilësuar si të paqëndrueshme.

“Në tekstin Psikologjia 11 thuhet se “…të dy trutë janë të lidhur në mënyrë të ndryshme: truri i mashkullit për të bërë dhe ai i femrës për të folur”, dhe më tutje se “…truri i diferencuar si mashkullor e ka më të lehtë të përballet me shumë detyra, si për shembull të folurit gjatë ndërtimit të diçka”, thuhet në raport.

Në këtë tekst pos tjerash janë të paraqitura edhe fjali që përforcojnë stereotipat, paragjykimet dhe seksizmin, transmeton Insajderi.

“Për shembull, ne dimë që cikli menstrual mund të ndikojë performancën matematike dhe verbale të femrave. Kjo na sugjeron që dallimi në performancë në rezultatet e matematikës dhe ato verbale midis femrave dhe meshkujve është i lidhur me seksin”.

Librat shkollorë dhe gabimet përmbajtjesore

Në një hulumtim të Zyrës së Bashkimit Evropian për cilësinë e teksteve shkollorë në Kosovë është konkluduar se në to janë të paraqitura fakte të pasakta dhe koncepte të pa definuar mirë; strukturim të papërshtatshëm dhe jokonsistent të përmbajtjes; mungesë të baraspeshës në gjerësinë dhe thellësinë e trajtimit të temave; mungesë e mundësisë për tu ndërlidhur me informatat dhe përvojat paraprake të nxënësve, dhe jo vetëm.

Në vijim janë të paraqitura disa pjesë të librave shkollorë, që kanë qenë të kritikuar për përmbajtjen e tyre.

Në librin “Fletore pune” të lëndës “Shoqëria dhe Mjedisi 4” data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në asnjërin nga opsionet e paraqitura nuk ka qenë e saktë.

Ose, në librin e Gjuhës Shqipe për klasën e nëntë shkruan se ilirët jetonin në Gadishullin Ilirik, në Ballkanin e sotëm, e shtriheshin deri në Detin e Veriut.

Qeveria Kurti dhe ndryshimet e teksteve shkollore

“Ne e konsiderojmë të rëndësishme për ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar, tekste të reja mësimore. Në Qeverinë Kurti nuk do të kemi tekste me pasaktësi shkencore, me gabime drejtshkrimore e logjike”, ka qenë premtimi elektoral i Arbëria Nagavcit, tash ministre e Arsimit.

Edhe pse prej vitit 2019 e deri më 2022 për botimin e librave shkollorë janë shpenzuar 25 milion euro, nxënësit që vijojnë mësimet në shkollat e Kosovës vazhdojnë të privohen nga marrja e informacioneve të sakta.

Ndërkaq, Ligji i ri për tekste shkollore, që tashmë është në Kuvend mbetet shpresa e vetme, e që ky hap është premtuar qysh në kohën e fushatës zgjedhore.