Sekretarja e Shtetit zviceran takon Lajçak’un: Marrëveshja e Brukselit/Ohrit moment historik

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka takuar të premten Sekretaren e Shteti të Zvicrës, Livia Leu, me të cilën ka diskutuar mbi dialogun Kosovë-Serbi.

Pas përfundimit të takimit diplomatja zvicerane përmes një postimi në rrjetin e saj social në Twitter, ka ritheksuar mbështetjen e Zvicrës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ndër të tjera ka shkruar se Marrëveshja e dakordësuar fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut në mes të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç’it është një moment historik.

“Stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëdnimor dhe normalizimi Kosovë-Serbi: Në takimin e sotëm me emisarin Lajçak ritheksova mbështetjen e Zvicrës për procesin e normalizimit të BE-së. Marrëveshjet e fundit janë momente historike, zbatimi kërkon vullnetin politik të të dyja palëve”, ka shkruar Livia Leu.

Për takimin në fjalë ka folur edhe diplomati sllovak, i cili përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter ka bërë të ditur se Zvicra mbështet fuqishëm dhe në mënyrë aktive procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndryshe në takimin e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, miratuan deklaratën për Personat e Pagjetur dhe u njoftuan me draft-statutin e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila u prezantua nga Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të këtij mekanizmi i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç.

Pas takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drafti i statutit i prezantuar të martën në Bruksel nga ekipi në fjalë është i papranueshëm, meqë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës pasi prezanton qartësisht një dëshirë për Republika Srpska në Kosovë.

Përkundër kësaj, Kurti, bëri të ditur se Kosova është e interesuar të gjejë një zgjidhej për këtë çështje prandaj i njëjti bëri të ditur se ka prezantuar një draft vizion përkitazi me neni 7 të Marrëveshjes e dakordësuar fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 prill në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Modeli i Qeverisë së Kosovës i propozuar për Asociacionin është i ngjashëm me Këshillin e Përbashkët të Komunave Serbe (Zajedničko veće opština – ZVO), i cili tubon komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë.

“Vizioni që propozova unë mund të them që është inspiruar nga një marrëveshje që ka bërë Serbia për normalizim. Është marrëveshja mes Serbisë dhe Kroacisë për normalizim. Unë jam inspiruar nga ai model […] Besoj se është modeli i duhur edhe për ne”, deklaroi Kurti.

Ndryshe nga Kurti i cili tha se refuzoi draf-statutin e prezantuar në takimin e 2 majit, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi se Draft-Statuti i prezantuar nga Ekipi Menaxhues i përberë nga serbët e Kosovës, do të jetë pika startuese për zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë.

“Palët bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt zbatimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të pajtuar 10 vjet më parë. Sot Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës prezantoi draftin e parë. Nuk është drafti final, është pikë fillestare, është drafti i parë i statutit të Asociacionit”.

Borrell deklaroi se çfarë ndodhi në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte “në linjë me Nenin 7 të marrëveshjes së re”.

“Ky draft është vënë në tavolinë dhe ishte e rëndësishme”, deklaroi ai, duke pranuar se të dyja palët kanë mendime shumë të ndara për atë se çfarë duhet të jetë ky mekanizëm për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

“Kurti dha pikëpamjet e tij për mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe siç pritej, pikëpamjet e palëve janë shumë larg njëra tjetrës. Nuk pritja gjë tjetër, isha i sigurt se palët do t’i kenë pikëpamjet e ndryshme. Por, përkundër mospajtimeve, ata u pajtuan të fillojnë negociatat”, pohoi Borrell.

Një ditë pas takimit, saktësisht më 3 maj ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Krasniqi tha, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.