Sekretari i Abdixhikut: Drejtoresha e Prokurimit nuk kreu shkelje ligjore në tenderin 110 milionësh

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot se ministria që ai drejton  zyrtarisht e ka anuluar tenderin 110 milionësh për Autostradën e Gjilanit i cili ishte shpallur në kohën sa qeveria e Ramush Haradinajt ishte në dorëheqje.

“Sot Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka anuluar tenderin 110 milionësh të shpallur pa miratim buxhetor në kohën e tranzicionit qeveritar. Me këtë vendim, ne i kthejmë ligjshmërinë një procesi të rëndësishëm financiar për vendin. 110 milionë euro s’mund të shpenzohen pa ligj; jo në këtë epokë të re qeverisëse”, ka shkruan Abdixhiku.

Kur krejt ky proces ishte bërë problem goxha madhor – pikërisht për këtë çështje e kishte paraqitur dorëheqjen Valmira Bllaca, Drejtore e Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, pasi akuzohej se ka bërë shkelje ligjore në zyrën që drejtonte.

Sekretari i kaluar i kësaj ministrie, Betim Reçica s’e kishte pranuar dorëheqjen e saj.

Pikërisht sot, edhe Sekretari i ri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Izedin Bytyçi, ka konkluduar se shkeljet ishin tjetër kund dhe se faj nuk kishte drejtoresha e Divizionit të Prokurimit.

Në vendimin për anulimin e procedurës tenderuese, Bytyçi, fajin e vë tek Zyrtari Kryesor Financiar.

“Nga shkresat e lëndës vërehet se Deklarata e Disponueshmërisë së mjeteve e nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Financiar nuk ka mbulesë buxhetore, sepse për këtë projekt nuk ka pasur mbulesë buxhetore në datën e nënshkrimit për vitin buxhetor 2019, në ndërkohë që buxheti për vitin 2020 ende nuk është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës…”, thuhet në vendim, shkruan Insajderi.

Valmira Bllaca kishte shkruar një letër të gjatë ku kërkonte të aprovohej dorëheqja e saj.

Kërkesën ajo e kishte çuar në drejtim të Lumir Abdixhikut dhe vartësve të tjerë në ministri.

Në të e shpjegonte krejt procesin e tenderit të shumëpërfolur prej 110 milionësh, i cili është anuluar përfundimisht sot.

Bllaca ndër të tjera kërkonte të dorëheqje për shkak të ndërhyrjeve politike.

Madje Bllaca në shkrimin më poshtë tregon se si Auditori i Brendshëm në raportin e tij e cek se zyrtarja e prokurimit e ka manipuluar raportin.

Por sot kur krejt ky proces ka përfunduar – ajo përfundimisht është “liruar” nga akuzat për shkelej ligjore brenda zyrës që drejton, pasi faji është drejtuar tek krejt dikush tjetër./Insajderi.com