Patrick Shanahan

Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Mbajmë zi për dy dëshmorët shqiptarë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, i ka dërguar një mesazh ngushëllues ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, për vdekjen tragjike të nëntetare Zarife Hasanaj dhe Major Klodian Tanushit.

“Pranoni ngushëllimet e mia të thella për vdekjen tragjike të nëntetare Hasanajt dhe major Tanushit. Mbajmë zi për humbjen e tyre dhe ndajmë dhimbjen me Shqipërinë. Humbja e tyre, një kujtesë e dhimbshme për rrezikun me të cilin përballen ushtarët tanë ndërsa mbrojnë lirinë.”

Shanahan po ashtu u shprehu ngushëllimet më të sinqerta edhe familjeve të dëshmorëve dhe i uroi shërim të shpejtë Rreshter Kapajt, i cili mbeti i plagosur në të njëjtin incident.

“Vlerësojmë aleancën tuaj dhe nderojmë kujtimin e heronjve tuaj të rënë”, tha Shanahan.