Seferi nga Beogradi: S’pati reagime kur u bë Kurti kryeministër, nuk e pranojnë reciprocitetin

Gazetari Idro Seferi, ka thënë se nuk ka pasur shumë reagime në Serbi në ditën kur Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës.

Në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, Seferi përmes një lidhjeje nga Beogradi ka thënë se shumë herë Kurti është diskutuar si person i papërshtatshëm për Serbinë.

“Beogradi ka paralajmëruar qysh para se të zgjidhej kryeministër Albin Kurti, për shkak të një interviste që ky i fundit e ka dhënë në një televizion të Serbisë ku pati përmend se reciprociteti do të jetë si zëvendësim për taksën”.

“Ka qenë qëndrim i presidentit Aleksandar Vuçiq se një gjë e tillë nuk është e pranueshme për Serbinë për shkak se vazhdimi i dialogut sipas tyre, do të duhej ta zgjidhte edhe këtë çështje [edhe mënyrën se si Kosova dhe Serbia tregtojnë].

“Ka pasur pak reagime ditën kur Kurti është zgjidhur kryeministër. Është thënë disa herë dhe duket se shumë herë Kurti është komentuar si një person i papërshtatshëm për Serbinë dhe se nuk do të dihet se si të bisedohet me të”.

“Për serbët duket sikur do të fillojë nga e para çdo gjë në dialog. Mirëpo qëndrimi i qartë i Serbisë është se nuk do të ulet në tavolinë e bisedimeve me Kosovën nëse taksa nuk do të hiqet”.