S’e lanë të futej në Kosovë, Petkoviç: S’patën arsye, arbitraritet i pastër i Kurtit

Iu ndalua të hyjë në Kosovë, por kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviç, për gazetarë tha se e-maili që pranoi “nuk dha asnjë arsye” dhe e quajti “arbitraritet të pastër të Albin Kurtit”.

Petkoviç, i cili rëndom nuk respekton rregullat për vizitat zyrtare, duke përçuar mesazhe urrejtëse ndëretnike dhe propagandë kundër shtetit të Kosovës, akuzoi kryeministrin kosovar për “destabilizim”.

Petar Petkoviç vlerëson se nuk ka pasur arsye për t’ia ndaluar hyrjen, por e interpretoi se “nuk deshën që unë të marrë pjesë në liturgji”.

“Më ndaluan të shkojë në Patriarkanën e Pejës, më ndaluan të jem prezent me popullin tim”, u shpreh ai për gazetarë.

Madje, bazuar në këtë, ai i kërkoi Perëndimit dhe Këshillit të Evropës “të mendojnë me kujdes për këtë”.

Petkoviç iu referua edhe deklaratës së ministrit kosovar të kulturës, Hajrulla Çekut, për renovimin e rezidencës së trashëgimisë kulturore të Xhafer Devës, duke thënë se “këto janë vlerat që Kosova që pretendon të jetë demokraci i promovon”.

Para mëse një muaji, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës doli me një shpjegim për ndalimin e hyrjes së zyrtarit serb.

“Petkoviç në vazhdimësi është paralajmëruar që gjuha e përdorur nga ai bie ndesh me marrëveshjen dhe që përdorimi i përsëritur i kësaj gjuhe rrjedhimisht çon në refuzimin e kërkesave për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës”.

“Qëndrimet e përsëritura të z. Petkoviç ndaj Republikës së Kosovës kanë karakter tejet dezinformues, propagandues dhe synojnë nxitje të urrejtjes. Shpresojmë që në të ardhmen z. Petkoviç të heqë dorë nga deklarata të tilla, të cilat synojnë rrënimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e MPJD’së.

/Reporteri.net/