Schuster këshillon Real Madridin të mos blejë sulmues në janar
Real Madridi është në krizën më të thellë të shënimit të golave në 33 vitet e fundit por ish trajneri i “Los Blancos”, Bernd Schuster mendon se madrilenët nuk duhet të transferojnë sulmues.
Kampionët e Europës nuk kanë shënuar gol që nga ndeshja ndaj Espanyolit me 22 shtator në La Liga, ndërsa janë edhe pa fitore në 4 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.
Largimi i Cristiano Ronaldos drejt Juventusit ka filluar të ndihet te 13 herë kampionët e Europës teksa Benzema nuk ka shënuar gol në 7 paraqitjet e fundit dhe Gareth Bale që nuk realizon qe 4 ndeshje.
Sidoqoftë Schuster mendon se Real Madridi duhet të evitojë blerjet e panikut siç i cilëson ai.
“Unë nuk do ta transferoja askënd në merkaton e dimrit sepse nëse një klub lejon të largohet një lojtar i tyre, e bën vetëm për shkak se ai nuk është i mirë. Askush nuk e lëshon një futbollist që ka shënuar 20 gola deri në atë periudhë”, theksoi trajneri gjerman.
Schuster e ka përmendur edhe faktin se Real Madridi e vuan mungesën e një lideri në fushë, gjë që sipas tij u vërejt edhe në humbjen minimale në Champions League kundër CSKA Moscow.