Legjenda

Scholes kritikon Mourinhon pas polemikave me tifozët e Juventusit

Ish lojtari i Manchester Unitedit, Paul Scholes beson se Jose Mourinho nuk pati nevojë të thumbojë tifozët e Juventusit në përfundim të sfidës së mbrëmshme që “Djajtë e Kuq” e fituan 1-2.

“Zonja e Vjetër” kishte avantazhin përmes golit të realizuar nga Cristiano Ronaldo, por United me dy gola të shpejtë në përfundim të sfidës përmbysi gjithçka në favor të vetin.

Mourinho që u fye gjatë gjithë takimit nga tifozët e Juventusit nuk mendon se gjesti i tij në fund të ndeshjes ishte disrespektues për klubin italian.

“Dëshiroja t’i ndëgjoja më shumë”, tha Mourinho për Sky Sport Italia në lidhje me momentin polemizues.

Ky veprim i portugezit ngjalli reagimin e Leonardo Bonuccit dhe Paulo Dybalas të cilët kërkuan llogari nga 55 vjeçari.

Ndërkohë legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes nuk sheh ndonjë arsye pse Mourinho duhej të reagonte në atë mënyrë.

“Ju duhet të fitoni edhe me pak klas. Nuk mendoj se kishte nevojë për diçka të tillë. Ai duhej të shkonte t’i përshëndeste tifozët dhe trajnerin kundërshtarë. Por kjo është sjellja e tij”, deklaroi Scholes për BT Sports.

Mourinho kishte polemika me tifozët e “Bianconerëve” edhe në ndeshjen e parë në “Old Trafford”, teksa ish trajneri i Interit iu tregoi 3 gishtat duke iu referuar tripletës së fituar me “Nerazzurrët” në vitin 2010.

Juventusi përkundër humbjes sërish kryeson në grupin H me 9 pikë, e ndjekur nga Manchester United që ka tubuar 7 pikë.