Portieri i Leicester Cityt, Kasper Schmeichel ka thënë se nuk ka përjetuar asnjëherë emocione si pas mbylljes së takimit të fituar ndaj Cardiffit.

Demarai Gray realizoi golin e fitores për “The Foxes” ndërsa Schmeichel nuk arriti t’i përmbante lotët në minutën e heshtjes në nderim të presidentit të ndjerë, Vichai Srivaddhanaprabha që e humbi jetën pas përplasjes së helikopterit në përfundim të sfidës Leicester-West Ham para 10 ditëve.

“Kisha ndjesinë sikur të një finaleje të një trofeu. Nuk kam pasur asnjëherë këtë ndjenjë në fushë. Jam shumë i kënaqur që kemi fituar, besoj se secili është lehtësuar. Dita ishte emocionale por jo detyrimisht kjo është një gjë negative, të jep një forcë shtesë. Nuk kisha dyshime se do të luaj pavarësisht situatës”, tregoi Schmeichel.

31 vjeçari zbuloi se e kishte dëshmuar momentin e përplasjes së helikopterit të presidentit tajlandez.

“Kam folur me dikë për të kërkuar mbështetje. Isha në fushë teksa e përshëndeta. E kam parë teksa ndodhi gjithçka, fatkeqësisht do të jetë me mua për tërë jetën ky moment. Klubi ka pasur qasje të mrekullueshme dhe secili e ka pranuar mbështetjen e nevojshme”, përfundoi danezi.

Schmeichel tha se ndeshja ndaj Cardiffit nuk kishte nevojë për përgatitje taktike, ndërsa gjëja e vetme që nevojitej ishte të kontrollonin emocionet.