Scaloni i lumtur me paraqitjen e Argjentinës

Trajneri i përkohëshëm i Argjentinës, Lionel Scaloni është optimist për të ardhmen e kombëtares “Albiceleste” përkundër humbjes minimale ndaj Brazilit në takimin miqësor të zhvilluar mbrëmë.

Argjentina nën drejtimin e Scalonit pësoi golin e parë mbrëmë, me mbrojtësin e Interit, Joao Miranda që shënoi me kokë pas një goditje nga këndi në minutat e fundit të sfidës.

Lo Celso dhe Dybala iu afruan golit ndaj 5 herë kampionëve të Botës, ndërsa përzgjedhësi Scaloni preferoi një skuadër të ndërtuar nga futbollistë të rinjë në mungesë të yllit kryesor Lionel Messit.

“Nëse vazhdojmë me këso lloj performancash do të jemi në maje të Botës. Rezultati ishte në plan të dytë por nuk do të thotë se nuk na jep dhimbje mënyra se si u mposhtëm. Është ngazëllyese paraqitja që djemtë kanë bërë duke luajtur si të barabartë ndaj një skuadre që ka më shumë kualitet se ne. Jam i lumtur me punën e futbollistëve të mi”, nënvizoi Scaloni.