Scaloni i frikësohet përballjes me Venezuelën

Argjentina arriti të siguronte kualifikimin në fazën çerekfinale të Copa America.

Ndaj Katarit, suksesi 2-0 nuk ishte edhe aq i thjeshtë për t’u arritur. Skuadra vuajti shumë në fushën e blertë, gjithsesi trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, shfaqet i kënaqur për vendin e dytë.

“Bëmë një ndeshje të mirë, edhe pse vuajtëm disi, veçanërisht gjatë pjesës së dytë. Luajtëm pa frikë. Provuam që gjatë gjithë kohës të ushtronim presion ndaj Katarit. Sigurisht ka ende shumë gjëra që duhen përmirësuar dhe duhen bërë sa më shpejt. Në përgjithësi jam i kënaqur me atë që jep skuadra në fushën e blertë, të vazhdojmë kështu.”

Më pas tekniku foli edhe për kundërshtarin që i pret në çerekfinale, Venezuelën.

“Kualifikimi na ka kënaqur të gjithëve. Ka momente që gjatë lojës luajmë mirë dhe në disa momente të tjera kemi rënie. Sa i përket Venezuelës, jemi ndeshur me ta vetëm pak kohë më parë. Humbëm gjatë një takimi miqësor të zhvilluar në Madrid. Janë një skuadër interesante. I morën një barazim Brazilit dhe sigurisht që edhe ne nuk do ta kemi të lehtë. I kanë idetë e qarta, gjithsesi ne do të japim maksimumin.”