Maurizio Sarri nuk dëshiron të përforcohet në merkaton e janarit duke hedhur poshtë në këtë mënyrë spekulimet për anësorin e Barcelonës, Ousmane Dembele, teksa tha se është i fokusuar në përmirësimin e lojtarëve që i ka në dispozicion.
Pas 12 javëve të zhvilluara në Premier League, Chelsea rradhitet në pozitën e tretë me 4 pikë më pak se lideri Manchester City.
Londinezët gjithashtu nuk janë mposhtur në kampionat, me Sarrin që ka vënë rekord për startin më të mirë në sezonin debutues për një trajner në Premier League.
Në prag të ndeshjes derbi me Tottenhamin, ish trajneri i Napolit siguroi se “The Blues” nuk janë të interesuar për shërbimet e sulmuesit francez, Dembele.
“Për momentin jo. Unë besoj në një tjetër futboll. Nuk është e mundur të mbyllësh gabimet vetëm përmes transferimeve. Ndoshta ju mundeni t’i transferoni 2-3 lojtarë të rëndësishëm, por njëri prej tyre mund të mos përshtatet. Kështu që nuk është e lehtë”, u shpreh Sarri.
Italiani pati lëvdata për dyshen e Tottenhamit, Kane dhe Eriksen në prag të përballjes direkte që zhvillohet sonte prej orës 18:30.
“Kane është sulmuesi më i mirë anglez për momentin, por më duhet të përmendi edhe një emër tjetër, Christian Eriksen. Ai është lojtar shumë i mençur dhe teknik i cili shënon 8-9 gola për çdo sezon. Por kjo nuk do të thotë se jemi të interesuar për ta transferuar”, nënvizoi Sarri.







