Belgu

Sarri trajneri më i mirë që ka pasur Hazardi te Chelsea

Anësori i Chelseat, Eden Hazard, ka pohuar se Maurizio Sarri është menaxheri më i mirë që ka pasur gjatë kohës së tij te klubi londinez.

Sarri është menaxheri i gjashtë që drejton Hazardin në Stamford Bridge dhe ka një fillim të mirë te ekipi që është i pamposhtur këtë sezon me pikë të njëjta me Manchester Cityn e Liverpoolin.

Belgu fitoi Premier Ligën me Jose Mourinhon dhe Antonio Conten ndërsa punoi edhe me Roberto Di Matteon, Rafael Benitezin dhe Guus Hiddinkun, por beson se stili i lojës së Sarrit është më i miri nga të gjithë të mëparshmit.

“Mendoj se është menaxher i madh. Kur luani futboll, ju doni të luani për këta menaxherë sepse mënyra si luan me ne është mënyrë që dua të luaj”, ka thënë Hazardi në konferencën për media.

“Kemi pasur menaxherë të mirë në të kaluarën, prandaj nuk mund të them se ata nuk ishin të mirë, por në aspektin e futbollit dhe mënyrën si luajmë, po, ky është futbolli më i mirë prejse kam ardhur te Chelsea. Shumë pasime dhe lëvizje. Pastaj kemi lojtarë të mirë, për këtë arsye luajmë futboll të mirë”, ka thënë veç të tjerash anësori i Chelseat.