Sarri thotë se Hazard është gati për t’u kthyer nga lëndimi

Trajneri i Chelseat ka konfirmuar se Eden Hazad është gati për t’u rikthyer nga lëndimi për ndeshjen e nesërme ndaj Crystal Palacet.

Hazard ka munguar në 3 ndeshjet e fundit të “The Blues” për shkak të lëndimit në shpinë.

Londinezët kanë qenë pa shërbimet e yllit belg që nga ndeshja kundër Manchester Unitedit me 20 tetor ndërsa nesër do t’i ndihmojë skuadrës së Sarrit të zgjat serinë prej 10 ndeshjeve pa humbje në fillim të këtij edicioni në Premier League.

“Dje Hazard ishte pjesë e skuadrës në seancën stërvitore. Ndoshta nuk është gati për t’i zhvilluar 90 minuta sepse ishte stërvitja e parë pas 2 javëve por me shumë mundësi është i gatshëm për 45 minuta. Për ne është shumë i rëndësishëm rikthimi i tij, nuk e di nëse do të startojë do ta bisedojë me të”, deklaroi Sarri.

Pas 10 javëve të zhvilluara Chelsea pozicionohet në vendin e tretë me 24 pikë, 2 më pak se liderët Manchester City e Liverpool.