Ditët e fundit po shtohen gjithnjë e më shumë zërat se do të jetë pikërisht Maurizio Sarri ai që do të ulet në stolin e Juventusit, për të zënë vendin e Massimiliano Allegirt, të shkarkuar pas 5 vitesh në stolin bardhezi.

Deri tani asnjë nga palët nuk ka pranuar të komentojë këto zëra, por mediat përtej Adriatikut bëjnë favorit pikërisht ish trajnerin e Napolit, aktualisht i angazhuar për finalen e Europa Leagues me Chelsean, e planifikuar për nesër në mbrëmje përballë Arsenalit.

Ndërkohë pasditen e sotme ka ardhur edhe reagimi i tifozëve napolitanë, që nëpërmjet një banderole të vendosur poshtë shtëpisë së Sarrit, i kanë kujtuar trajnerit respektin ndaj tij dhe i kanë kërkuar të mos i tradhtojë, për t’u ulur në stolin bardhezi.

“Komandant, mos tradhto popullin. Napoli të do”, shkruhej në pankartë, një sinjal i qartë ky për Sarrin, që nëse vendos t’i bashkohet Juventusit, do të thyejë raportin special ne napolitanët, ku punoi për 3 sezone.