Sarri pretendon se e ka arritur kulmin duke iu bashkuar Chelseat

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri ka pasur lëvdata për homologët e tij, Jurgen Klopp dhe Jose Mourinho ndërsa tha se futbolli anglez përfaqëson majën e këtij sporti.

Sarri ka pasur një start pozitiv te londinezët duke mos u mposhtur asnjëherë nga 12 ndeshjet e para në Premier League, rekord i ri ky për “The Blues”, teksa kjo është eksperienca e parë për të jashtë Italisë, ku ka drejtuar në Serie A, Empolin dhe Napolin.

Në një intervistë për të përditshmen italiane “La Gazzetta dello Sport”, Sarri ka zbuluar një moment interesant me trajnerin gjerman, Jurgen Klopp gjatë ndeshjes Chelsea-Liverpool.

“Në një moment u ktheva kah Klopp dhe e pashë duke qeshur, ndërsa e pyeta për arsyen. Më tha se po argëtohej nga ndeshja, ‘edhe unë’ iu përgjigja. Kur i përjeton këto lloj situatash e kupton se e ke arritur majën”, tha Sarri.

Ish trajneri i Napolit tregoi se e ndjen vetën më të afërt me Kloppin ndërsa pati fjalë lavdëruese për trajnerin e Manchester Unitedit, Jose Mourinho.

“Nga pikëpamja filozofike ndihem më i afërt me Kloppin. Shkëmbimi i fjalëve mes nesh është shembull për këtë. Mourinho ka kualitete humane të jashtëzakonshme. Në aspektin profesional ka pak gjëra për të thënë për të, ka fituar gjithçka dhe në secilin vend, përfundoi Sarri.