Dyshja e sulmit në krizë

Sarri nuk është i shqetësuar me formën e dobët të Moratas dhe Giroud

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri nuk është i shqetësuar me dyshen e sulmit, Alvaro Moratan dhe Olivier Giroud, ndërsa shpreson se të rikthehen te goli sa më shpejt.

Morata është kritikuar për formën e dobët të treguar këtë sezon, teksa ka shënuar 3 gola në 12 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Edhe më keq qëndron Giroud që nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës edhe pas 10 takimeve të zhvilluara.

“Ne të gjithë i dijmë karakteristikat e Giroud. Zakonisht ai nuk shënon shumë gola por është shumë i nevojshëm për skuadrën. Kështu që Giroud nuk është problem. Morata ka shënuar 2 gola në 5 paraqitjet e fundit, por mendoj se do të jenë në gjendje për të bërë më mirë. Gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë të luajmë këtë futboll”, theksoi Sarri.

Trajneri italian përmendi faktin se në fillim të sezonit mesfusha kishte problem në realizmin e golave por ky shqetësim u rregullua me kalimin e kohës, kurse u shpreh i sigurtë se nëse vazhdohet me këtë sil loje edhe sulmuesit do të zhbllokohen.

Chelsea e ka sulmin e tretë më të mirë në Premier League me 20 gola të shënuar, 6 më pak se City dhe 2 se Arsenali, ndërsa “The Blues” të dielën takohen me Burnleyn në udhëtim për ndeshjen e javës së 10-të.