Lëvdata për portugezin

Sarri mendon se nuk e ka arritur ende nivelin e Mourinhos

Maurizio Sarri është adaptuar shpejt me futbollin anglez por trajneri i Chelseat nuk mendon se është më i mirë se Jose Mourinho për shkak se portugezi ka fituar gjithçka në secilin vend.

Chelsea pret Manchester Unitedin pasditen e sotme me londinezët që së bashku me Cityn dhe Liverpoolin janë liderë, kurse “Djajtë e Kuq” ndodhen 7 pikë larg tyre në vendin e 8-të.

Pavarësisht kritikave që ka marrë Mourinho këtë sezon, arritjet e portugezit, sipas Sarrit janë të mjaftueshme për të respektuar figurën e ish trajnerit të “The Blues”.

“Sigurisht se Mourinho është trajner më i mirë se unë. Sukseset flasin qartë për këtë. Për momentin ai është më i mirë se unë, por shpresoj që në të ardhmen të mundem të permirësohem edhe unë. Mendoj se ne kemi karaktere të ndryshme, Jose ka fituar gjithçka në secilin vend, kështu që më duhet edhe mua të fitoj në mënyrë që të krahasohem me të. Po flasim për njërin prej trajnerëve më të mirë në botë, dhe unë nuk jam njëri prej tyre”, tha Sarri.

Sarri tutje shton se nuk është e rëndësishme mënyra se si luan skuadra e Mourinhos, duke përmendur sukseset gjatë viteve të fundit.

“Fokusi duhet të jetë në faktin se a është në gjendje të fitojë, dhe ai e ka dëshmuar këtë në vitet e fundit. Besoj se Mourinho do të rikthehet të fitojë sërish”, përfundoi Sarri.