Sipas trajnerit të Chelseat, Maurizio Sarri, Alvaro Morata ka potencial të madh por duhet të punojë shumë në anën mentale.
Sulmuesi spanjoll shënoi dy gola dje ndaj Crystal Palacet në fitoren 3-1, triumf ky që i garantoi “The Blues” ngritjen në vendin e dytë të klasifikimit në Premier League.
26 vjeçari ka realizuar 4 gola në 4 paraqitje këtë sezon në Premier League, duke i ndihmuar të rifitojë vetbesimin pas formës së dobët të sezonit të kaluar dhe lëndimit që e kishte pësuar në shpinë.
Sarri beson se Morata mund të përmirësohet edhe më shumë, me ish sulmuesin e Real Madridit që ka mbetur jashtë grumbullimit me kombëtaren e Spanjës.
“Alvaro është përmirësuar në muajin e fundit, në aspektin e vetbesimit, personalitetit dhe nga ana teknike. Tani është në gjendje të luajë më shumë me skuadrën. Mendoj se ai mund të përmirësohet edhe më shumë për shkak se ka potencial të madh fizik dhe teknik. Morata duhet të luajë më shumë për skuadrën pa menduar për golin, golat zakonisht janë pasojë e punës në skuadër. Ai është pak i thyeshëm nga pikëpamja mentale, por mund të përmirësohet sepse edhe është shumë i ri”, theksoi Sarri.
Eden Hazard u rikthye në fushë për herë të parë dje ndaj Crystal Palacet prej lëndimit, me belgun që asistoi menjëherë në golin e dytë të Moratas. Sarri ishte i kënaqur me inkuadrimin e Hazardit duke e përmendur rëndësinë që 27 vjeçari e ka për Chelsean.
“Ishte shumë e rëndësishme ta kishim në bankë. Ishim edhe me fat, për një minutë që u fut në lojë ishte në gjendje ta ndryshonte kahjen e lojës. Por ky është Hazardi që mund të bëjë gjëra të tilla shumë shpesh”, përfundoi italiani.







