Italiani

Sarri mendon se humbja ndaj Wolvesit mund t’i ndikojë pozitivisht Chelseat

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri mendon se humbja 2-1 me përmbysje mbrëmë përballë Wolvesit mund të ketë impakt pozitiv te skuadra e tij, për të cilën ka thënë se ndonjëherë ka shumë vetbesim.

Ruben Loftus-Cheek i dha epërsinë londinezëve në pjesën e parë, por gjithçka u përmbys në pjesën e dytë brenda 4 minutave në të cilat Wolves realizoi dy herë.

Kjo humbje e ka lënë Chelsean në pozitën e 4-të me 10 pikë më pak se lideri Manchester City, me dy skuadrat që takohen të shtunën në “Stamford Bridge”.

Sarri ka pasur lëvdata për skuadrën e Guardiolës ndërsa e ka kritikuar edhe qasjen e të besuarve të tij në humbjen me Wolves.

“Siç e kam thënë edhe më herët, City është skuadra më e mirë në Europë, ata mund ta fitojnë apo jo Champions Leaguen por kjo varet edhe nga momentet. Sezonin e kalur mendoj se City ishte skuadra më e mirë por dy ndeshjet me Liverpoolin erdhën në një moment të keq për ta. Nëse luan kundër tyre për 10 muaj, ata janë më të mirët në botë. Pas humbjes me Wolves kemi humbur edhe pak vetbesim, por ndonjëherë futbollistët e mi më të tregojnë se kanë shumë vetbesim. Ne mund të humbim një ndeshje por jo pa tentuar të reagojmë”, deklaroi Sarri.

Ish trajneri i Napolit bëri 5 ndryshime në formacion nga fitorja e fundit ndaj Fulhamit, por Sarri nuk mendon se këto zëvendësime e sollën humbjen.

Super përballja mes Chelseat dhe Manchester Cityt zhvillohet të shtunën me fillim prej orës 18:30.