Chelsea u ndal dje në barazim pa gola nga Evertoni në “Stamford Bridge”, ndërsa trajneri i londinezëve, Maurizio Sarri mendon se fillimi i ngadaltë i lojës mund të jetë efekt psikologjik.
Portieri i Evertoniy, Jordan Pickford ishte në formë të shkëlqyeshme duke i mohuar golin Alvaro Moratas dhe Eden Hazardit, teksa Marco Alonso qëlloi shtyllën.
Sarri, skuadra e të cilët nuk njeh humbje në Premier League edhe pas 12 javëve të zhvilluara, e ka pranuar se starti i ngadaltë i ndeshjeve nga “The Blues” ka filluar ta shqetësojë.
“Nuk më pëlqyen 25 minutat e parë, e qarkulluam topin shumë ngadalë, ishte shumë e thjeshtë për ta të mbrohen. Pastaj mendoj se kemi luajtur një ndeshje të mirë në fillim të pjesës së dytë. Mendoj se ishim pak edhe pa fat, por duket se jemi në rrugën e duhur. Nuk e di pse e fillojmë ndeshjen ngadalë. Nuk besoj se është problem fizik, sepse në pjesën e dytë kemi luajtur me tjetër intensitet, duket të jetë më shumë problem psikologjik”, tregoi Sarri.
Barazimi me Evertonin e la Chelsean prapa në garën për titull me dy rivalët Manchester Cityn e Liverpool që fituan këtë fundjavë, por sipas Sarrit në Premier League secili klub pritet të humb pikë pavarësisht që theksoi se është e vështirë të mbahet hapi i dy skuadrave kryesuese.
Chelsea ndodhet në vendin e tretë me 28 pikë 2 më pak se Liverpooli dhe 4 se Manchester City që është lider.







