Sarri i del në mbrojtje Kepas, thotë se donte ta zëvendësonte për lëndim

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, ka dalë në mbrojtje të portierit Kepa Arrizabalaga, që refuzoi të largohej nga fusha pak sekonda para fundit të kohës shtesë në finalen e Kupës EFL me Manchester Cityn, në mënyrë që Willy Caballero të ishte në portë gjatë gjuajtjes së penaltive.

Sarri u pa shumë i ashpër në fushë me refuzimin e Kepas që të largohej, por pas takimit ka thënë se ishte një keqkuptim dhe se kishte dashur ta hiqte Kepan vetëm për shkak të lëndimit.

“Duhet të flasim për futboll, luajtëm shumë mirë – ishte një keqkuptim sepse unë kam menduar se portieri kishte ngërçe dhe nuk ishte në gjendje për penaltitë, por kjo s’ishte ashtu. Më duhej vetëm të kthehesha që të qetësohesha – siç ju thash, portieri e kuptoi se kërkova zëvendësimin për lëndim, por ai s’pati nevojë të largohej. E kuptova vetëm pasi doktori erdhi në bankën rezervë – më duhet vetëm të flas me të për të sqaruar situatën, asgjë tjetër”, ka thënë Sarri në konferencën për media.

City në fund triumfoi në penalti, ndërsa Sarri ka refuzuar të flasë nëse do të largohet nga “Blutë”.

“Duhet të pyesni klubin për të ardhmen time, jo mua. Jam i sigurt se lojtarët janë prapa meje, për shkak të mënyrës si luajtën. Jam krenar me lojtarët e mi. Mendoj se klubi duhet të jetë krenar me performancën”, ka shtuar ai.