Saranda Hajdari, fituesja e kurorës “Miss Shqiptarja në Botë 2025”, është padyshim një nga emrat që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në botën e bukurisë dhe modelingut shqiptar.
Me bukurinë e saj karakteristike, linjat trupore mbresëlënëse, elegancën dhe stilin e veçantë, Saranda ka krijuar një profil që e bën të dallojë kudo që shfaqet.
Ajo jeton në Gjermani, por është shumë e lidhur me Kosovën, të cilën e viziton shpesh. Pikërisht në Kosovë nisi edhe rrugëtimi i saj në modeling, duke i bërë hapat e parë profesionalë në GfG Models, me producent Ilir Gecin, ku edhe sot vazhdon të jetë modele.
Talenti, paraqitja dhe potenciali i saj u shpërblyen me kurorën e “Miss Shqiptarja në Botë 2025”, titull që e vendosi Sarandën në qendër të vëmendjes dhe i hapi një kapitull të ri në karrierën e saj.
Këtë vit ajo do të rikthehet në skenën e “Miss Shqiptarja në Botë 2026”, këtë herë për një moment të veçantë: dorëzimin e kurorës tek bukuroshja që do ta pasojë.
Por për Sarandën, dorëzimi i kurorës nuk nënkupton fundin e një rrugëtimi. Përkundrazi, duket se është vetëm fillimi.
Me fizikun e saj, prezencën para kamerës dhe stilin që e karakterizon, Saranda Hajdari ka të gjitha potencialet për të qenë një nga modelet shqiptare që mund të bëjë emër edhe në arenën ndërkombëtare.
Prandaj, nuk do të ishte befasi që shumë shpejt ta shohim bukuroshen shqiptare në pasarelat dhe eventet e rëndësishme ndërkombëtare të modës.
Kujtojmë se spektakli “Miss Shqiptarja në Botë” është eventi më i madh i bukurisë në botën shqiptare, një event që mban vulën e agjencionit të madh ndërkombëtar të modës Gecjan Fashion Group – GfG Models, me producent Ilir Geci.














