Barazimi 2-2 ndaj Holandës mbrëmë është dëshmi se Gjermania mund të luajë futboll të bukur, sipas sulmuesit të Manchester Cityt, Leroy Sane.

Skuadra e Jochim Low lëshoi nga dora avantazhin prej dy golave teksa në 5 minutat e fundit rezultati u barazua nga “Tulipanët”.

Megjithatë, Sane që shënoi njërin prej golave për “Panzerat”, mendon se Gjermania është përmirësuar, pavarësisht se 4 herë kampionët e botës nuk kanë fituar asnjë nga 5 ndeshjet e fundit kompetitive.

“Sigurisht se ne dëshiruam ta fitonim këtë ndeshje. Ishim 2-0 përpara dhe kjo sjell pak zhgënjim. Por secili mund ta shoh se ne jemi përmirësuar dhe synojmë të vazhdojmë në këtë rrugë. Tifozët mund të jenë të sigurtë se ne kemi një plan dhe jemi në gjendje të luajmë futboll të bukur. Tani na duhet të zgjerojmë lojën e mirë gjatë 90 minutave dhe t’i bindim të gjithë se do të rikthehmi edhe më të fortë”, tha Sane.

Gjermania e përmbylli aventurën e saj në grupin 1 të Nations League në pozitën e fundit prapa Francës dhe Holandës, ndërsa si pasojë është rrëzuar një kategori më poshtë të kompeticionit më të ri të UEFA-s.