Sancho kryeson listën e lojtarëve që Man Unitedi i do në janar

I talentuari anglez, Jadon Sancho, është futbollisti kryesor të cilin Manchester Unitedi ka vendosur të tentojë ta transferojë gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Djajtë e kuq” janë duke u përgatitur të luftojnë me oferta mbi 100 milionë euro për ta siguruar transferimin e anësorit të Borussia Dortmundit gjatë janarit, në tentim për t’u kthyer fuqishëm në Ligën e Kampionëve.

Pasi Romelu Lukaku u shit për 75 milionë funte dhe Alexis Sanchez e Paul Pogba kanë zgjuar interesim të madh te disa klube evropiane, trajneri Ole Gunnar Solskjaer pritet ta ketë një buxhet mjaft të madh për afatin kalimtar të dimrit.

Solskjaer i ka të gjitha paratë e fituara nga shitja e Lukakus në dispozicion dhe ai më së shumti dëshiron ta transferojë një mesfushor kreativ në skuadër.

Sancho, ende 19-vjeçar, e ka nisur edhe sezonin e ri në formë mbresëlënëse, me dy gola dhe dy asiste në vetëm tri ndeshje të zhvilluara.

Për më tepër, Sancho i përshtatet plotësisht filozofisë së trajnerit norvegjez, i cili i ka kërkuar klubit transferimin e lojtarëve të rinj e të talentuar, në mënyrë që të sigurojë një të ardhme më të mirë për klubin ku edhe kishte luajtur si futbollist.

Pas interesimit të Manchester Unitedit këtë verë, Sancho u shpërblye me kontratë të re, me pagë prej 190 mijë funtesh në javë, në Dortmund. Por, kjo kontratë e re s’do ta ndalë Manchester Unitedin, që është i gatshëm t’i ofrojë anglezit kushte edhe më të mira.

Përderisa Pogba nuk pritet të transferohet në Real Madridi këtë verë, përkundër spekulimeve të vazhdueshme, “Djajtë e kuq” pritet të shtojnë para të tjera në buxhetin për transferimin e Sanchos me transferimin e Sanchezit në Inter ose Romë.

loading…