Sanchez synon ta fitojë Ligën e Kampionëve me Interin

Ndaj Juventusit në fundjavën e ardhshme do të mungojë për shkak të pezullimit, por të mërkurën në mbrëmje dëshiron të jetë protagonist ndaj Barcelonës.

Pas paraqitjes me dy fytyra ndaj Sampdorias, ku shënoi gol dhe la skuadrën me 10 futbollistë, Alexis Sanchez është gati të kthejë faqe duke filluar që nga sfida ndaj ish skuadrës së tij, Barcelonës.

“Jam rikthyer në Itali sepse doja të luaja futboll me një trajner të cilin e njihja dhe me futbollistë që i njihja gjithashtu. Mendoj se Interi po ndërton diçka mjaft të mirë për të ardhmen. Klubi nuk fiton prej 8 sezonesh dhe këtë fakt e mora parasysh në zgjedhjen time për të ardhur te Interi, pasi dua të fitoja diçka me këtë skuadër”, deklaroi Sanchez.

Në kampionat zikaltërit po bëjnë shumë mirë, duke fituar të gjithë ndeshjet, ndërsa në Champions e nisën me një barazim ndaj Slavias së Pragës në “San Siro”, por Sanchez, si njëri prej futbollistëve më me eksperiencë, kërkon të motivojë ambientin.

“Çdo futbollist dëshiron të fitojë të paktën njëherë në karrierë, Ligën e Kampionëve. Unë luaj për ta fituar trofeun, jo thjesht për të marrë pjesë. Barcelona është shumë e fortë në shtëpi, pasi ka sigurinë e të luajturit në atë stadium. Nëse kemi një apo dy raste, duhet t’i shfrytëzojmë, pasi nuk mund të kemi mundësi pa fund”, tha Sanchez.

loading…