Sanchez lëndohet në stërvitje, rrezikon të mbetet 1 muaj jashtë fushave

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Alexis Sanchez mund të mungojë në ndeshjen me ish skuadrën e tij, Arsenalin muajin e ardhshëm teksa priten teste shtesë për të kuptuar kohën e mungesës së anësorit kilian.

Sanchez ka pësuar një lëndim në kofshë gjatë seancës stërvitore të ditës së enjte, ndërsa 29 vjeçari nuk ka qenë një pikë referuese te “Djajtë e Kuq” prej se u transferua nga Arsenali janarin e kaluar, duke u aktivizuar vetëm 5 herë si startues këtë sezon për skuadrën e Jose Mourinhos.

“Gjatë stërvitjeve të së enjtes, Alexis Sanchez ka pësuar lëndim në kofshë, kurse do të duhen teste shtesë për të konfirmuar seriozitetin e lëndimit”, shkruhet në komunikatën e Unitedit.

Ky është lëndimi i fundit në vazhdën e shumë të tjerëve gjatë këtij sezoni, derisa Sanchez më herët vuajti nga tendosja e muskujve dhe dëmtimi në ijë.

Raportohet se Sanchez pritet të mbetet jashtë fushave për tërë muajin dhjetor, që do të thotë se do të humb ndeshje të rëndësishme si ajo me Liverpoolin në Premier League dhe Valencian në Champions.