Sanchez: “Jam zhvilluar si lojtar te Barça, por tani dua fitore me Interin”

Pas golit të shënuar të shtunën kundër Sampdorias, edhe pse doli me karton të kuq, Alexis Sanchez po përgatitet të rikthehet në “Camp Nou”.

Në fakt, Interi do të përballet me Barcelonën të mërkurën, më 2 tetor, prej orës 21:00, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Champions League.

Për kilianin, i cili ka luajtur 3 sezone me fanellën blaugrana, duke shënuar me të 47 gola dhe dhënë 35 asiste, do të jetë një ndeshje e radhës.

“Kur arrita atje, të gjithë thanë se ishte Barcelona më e fortë ndonjëherë”, tha Sanchez për “UEFA.com”.

“Ajo skuadër kishte Guardiolën, Messi, Xavi, Iniesta dhe Puyol, luante vërtet futboll të bukur”.

“Ai klub më mësoi një stil të ndryshëm të lojës, bazuar në posedimin e topit. Për më tepër, duke u stërvitur me lojtarët e këtij kalibri, ju mund të përmirësoheni dhe të rriteni shumë”.

Tani Sanchez mendon vetëm për Interin dhe shpreson ta mund Barcelonën.

“Kthimi në Itali ishte rigjetje e dashurisë për futbollin. Unë tashmë e njihja Conte dhe disa lojtarë zikaltër. Mendoj se klubi po hedh bazat e një të ardhmeje të shkëlqyer. Dua të fitoj diçka me këtë fanellë. Ne jemi një ekip i mire. Si gjithë të tjerët, duam ta fitojmë Ligën e Kampionëve. Le të mendojmë për ndeshjen e radhës, ndaj Barcelonës, për momentin. Të shkojmë në këtë ndeshje jo vetëm sa për formalitet. Kur luaja te Barcelona, edhe një barazim shihej si humbje, duhej vetëm të fitoje. Edhe te Interi po injektohet kjo frymë nga Conte. Ne duhet të synojmë për më të lart, ndeshje pas ndeshjeje”.

loading…