Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, Sami Lushtaku, ka reaguar pas dorëheqjes së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.

Në emër të vet dhe të strukturave të PDK-së në Skënderaj, Lushtaku ka shprehur falënderim dhe respekt të lartë për punën dhe lidershipin e Krasniqit gjatë periudhës që ai ka udhëhequr partinë.

“Në emër tim dhe të strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, shpreh falënderimin dhe respektin më të lartë për punën, angazhimin dhe lidershipin e treguar nga kryetari i deritanishëm i PDK-së, Memli Krasniqi,” ka shkruar Lushtaku.

Ai ka theksuar se PDK mbetet një forcë politike shtetformuese dhe me vizion të qartë për zhvillimin e vendit, ndërsa dorëheqjen e Krasniqit e ka cilësuar si një moment që do të sjellë ringjallje e unitet të ri brenda partisë.

“PDK është parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, e cila ka vizion të qartë për zhvillimin e vendit, prandaj ky vendim i dorëheqjes le të shënojë një momentum të ri i cili e fuqizon, e rritë dhe e unifikon edhe më tepër PDK-në,” ka theksuar ai.

Në fund, Lushtaku i ka uruar sukses Krasniqit në vazhdimësi, duke e quajtur atë “kryetar”.

“Suksese në vazhdimësi, kryetar!”, ka përfunduar postimin e tij Sami Lushtaku.