Bekim Salihu

Salihu nga GAP: Kërkesa për krijimin e policisë së kryeqytetit shkon deri në nivel të injorancës

Bekim Salihu, hulumtues në Institutin GAP, thënë se kërkesa që urgjent të themelohet policia e kryeqytetit “shkon deri në nivel të injorancës”.

Pas përleshjes me armë në lokalin “Bon Vivant” ku si pasojë humbi jetën një person e mbetën të lënduar disa të tjerë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kanë thënë se krijimi i policisë së kryeqytetit është cështje urgjente.

Por, Salihu përmes një postimi në Facebook ka përmendur tri arsye pse një kërkesë e tillë është e pavend.

E para sipas tij është se rasti i mbrëmshëm nuk ka ndodhur për mungesë të policisë dhe mekanizmave të duhur, por për shkak edhe të mosfunksionimit të tyre.

E dyta ka thënë se policia e kryeqytetit është menduar dhe është inkorporuar në Ligjin për Prishtinën, për t’i asistuar komunës në çështje komunale, jo për siguri nacionale.

Dhe në fund, Salihu ka deklaruar se si anëtar i grupit punues për hartimin e Ligjit për Prishtinën, pajtimi unanim i grupit ka qenë që policia e kryeqytetit duhet të merret me çështje të ndërtimeve, uzurpimeve, inspektimeve, komunikacionit dhe rendit komunal.

“Dilemë ka qenë atëherë e mbetet edhe sot, a do të duhet kjo polici të ketë armë, automjete të njëjta me policinë e rregullt dhe a do të mund të këtë mundësi të arrestoj, privoj dikë nga liria. Këto dilema ekzistojnë, ngase ideja ka qenë, dhe është, jo të krijohet një polici tjetër, por të krijohet një njësi që i asiston komunës e komuna nuk ka të drejt të arrestoj persona dhe as të ushtroj kompetenca ekzekutive të sigurisë”, ka shkruar tutje ai.