Ka filluar seanca gjyqësore e ish-ushtarit të UCK’së, Salih Mustafës para Gjyqtarit të Procedurës paraprake në Hagë.
Seanca është e hapur për media dhe mund ta ndiqni në faqen e Gjykatës Speciale, duke klikuar KËTU.
Salih Mustafa, ish-pjesëtar i UÇK’së dhe ish-shef i intelegjencës së FSK’së u arrestua më 24 shtator dhe në po të njëjtën ditë, u dërgua në Hagë.
Sipas një njoftimi për media që u bë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.
Ndërkaq sot, komandant “Cali” po paraqitet për herë të parë para gjyqtarit të procedurës paraprake në Hagë.
Kujtojmë se menjëherë pas arrestimit të tij, policia e EULEX’it me urdhër të kësaj Gjykate, arrestoi edhe krerët e OVL të UÇK’së, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.
Të njëjtit, siç u tha u arrestuan pasi publikuan disa prej dosjeve të cilat u erdhën fshehurazi në zyret e tyre, e që në të thuhej se ndodheshin detaje rreth aktakuzave dhe personave të dyshuar nga Specialja.







