Salih Mustafa

Salih Mustafa është ish-pjesëtari i parë i UÇK-së që të mërkurën i fillon gjykimi në Hagë

Të mërkurën, më 15 shtator, pritet të nis gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa. Njëherit, ky është gjykimi i parë që po fillon para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Përmes një shkrese të publikuar në faqen zyrtare të kësaj gjykate, gjithashtu bëhet e ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka paraqitur rendin e dëshmive të dëshmitarëve për muajt nëntor dhe dhjetor 2021.

Aty thuhet se përfshihet edhe informacioni nëse ata dëshmitarë do të shfaqen drejtpërdrejt ose përmes lidhjes me video, si dhe kohëzgjatja e propozuar e marrjes në pyetje për dëshmitar.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është i arrestuari i parë nga Specialja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.