Sali Rexhaj, aktivist i hershëm i çështjes kombëtare, ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai e ka vlerësuar këtë angazhim si “privilegj, kënaqësi dhe obligim”.
Rexhaj tha se është i nderuar të gjendet në një listë me njerëz që, sipas tij, kanë merita të mëdha për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Në këtë kuadër, ai theksoi se synon ta përfaqësojë mërgatën, të cilën e vlerësoi si njërin ndër kontribuesit më të mëdhenj në të gjitha fazat historike të Kosovës.
Ai deklaroi se rikthimi i tij në politikë, pas tri dekadash, nuk lidhet me ambicie personale, por me dëshirën për t’i qëndruar krah liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, si dhe për të kontribuar në “kthimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së, NATO-s dhe SHBA-së”.
“Ka ardhur koha të bashkohemi si në vitet ’90, për ta rikthyer Kosovën në drejtim të qartë euroatlantik,” u shpreh Rexhaj, duke shtuar se vendimi i tij është marrë me mbështetjen e familjes dhe njerëzve me të cilët, sipas tij, ka bashkudhëtuar për dekada në proceset e rëndësishme për vendin.
Në fund, ai falënderoi degën e AAK-së në Zvicër për besimin e dhënë, duke uruar që “t’u prijë e mbara” në procesin zgjedhor.







