Salah është bërë lojtari që e arrin më shpejt se gjithë të tjerët kuotën e 50 golave në Premier League, me fanellën e “The Reds”.

Sulmuesi egjiptian, Mohamed Salah, e ka ndihmuar Liverpoolin të përmbysnin Southampton dhe të rrëmbejnë kreun e renditjes në Premierligë.

Goli i shkëlqyer, pas një inkursioni shpërthyes personal, i dha fund “agjërimit” prej tetë ndeshjesh të Salah në këtë drejtim.

Kjo ishte ndeshja e tij e 69-të me Liverpoolin, në të cilën u bë “gjysmëshekulli” si golashënues.

Ish-lojtari i Chelseat dhe Romës theu rekordin e mëparshëm të Fernando Torres, i cili i kishte rrumbullakosur 50 gola për 72 ndeshje me “The Reds”.

Luis Suarez, ish-ylli i Liverpoolit në sezonin 2013/2014, zhvilloi 86 ndeshje për të shënuar 50 gola në Premierligë, ndërsa Robbie Fowler pati nevojë për 88 ndeshje.

Më parë, këtë vit, Salah u bë lojtari i katërt në Premierligë, që i shënon më shpejt 50 gola.

Salah ishte prapa Andrew Cole, Alan Shearer dhe Ruud van Nistelrooy, u barazua me Torres, kur shënoi golin e tij të 50-të në Premierligë, në ndeshjen e tij të 72-të, më 21 janar.

Egjiptiani ishte i dyti më i shpejtë në aspektin e minutave të luajtura, vetëm prapa Shearer. Këtij të fundit iu deshën 5337 minuta për të shënuar 50 gola, në krahasim me 5374 minuta të Salah.