Salah rikthehet nga lëndimi, i gatshëm për ndeshjen me Genkun

Mohamed Salah është kthyer në seancën stërvitore të Liverpoolit, para takimit të së mërkurës me Genkun, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Ylli egjiptian mungoi në barazimin 1-1 të së dielës me Manchester Unitedin për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës, të cilin e pësoi para se të fillonin ndeshjet e ekipeve kombëtare, mirëpo ai tani pritet të luajë këtë mesjavë.

Divock Origi e zuri vendin e tij në Old Trafford, përderisa një gol i shënuar afër fundit të ndeshjes nga Adam Lallana i mjaftoi Liverpoolit për ta marrë një pikë nga ky derbi dhe për ta vazhduar ecurinë pa disfatë në sezonin e ri të Premierligës.

Por, tani duket se 27-vjeçari, i cili i shënoi 27 gola në 52 ndeshje gjatë sezonit të kaluar, mund të jetë në formacionin e parë të Liverpoolit për ndeshjen kundër Genkut, përkundër që klubi nuk ka njoftuar për gjendjen e tij.

Para ndeshjes të së dielës, për Sky Sports, Jurgen Klopp kishte treguar se egjiptiani ka ende probleme me kyçin e këmbës, edhe pse vazhdimisht u raportua se është rikuperuar dhe gati për të zbritur në “Old Trafford”.

“Mo nuk është gati, kjo është e gjitha”, tha Klopp për Sky Sports me të arritur në “Old Trafford”.

“Ai nuk ka mundur të stërvitet me skuadrën; Nuk e di nga ku ka lindur kur të gjithë thonin se ai do të luajë. Pothuajse s’ka pasur shanse për sonte, ndoshta të mërkurën, do të shohim”.

Derisa Shaqiri do të mungojë për të paktën 2-3 javë, për shkak të qarjes së muskulit. Anësori shqiptar i është përsëritur lëndimi që e kishte në muajin shtator.

loading…