Ylli egjiptian

Salah mund të largohet nëse Liverpooli nuk e fiton Premier Leaguen

Liverpooli përballet me riskun e humbjes së shërbimeve të egjiptianit Mohamed Salah në rast se nuk do të arrijë objektivin madhor për të ngritur lart trofenë e Premier Leagues.

Deri më tani ecuria e “The Reds” ka qenë pozitive, duke ngjallur shpresat se do të kthenin në shtëpi trofeun prestigjioz.

Një fitore e tillë do të ishte historike, duke qenë se hera e fundit që Liverpooli e ka fituar kampionatin ka ndodhur në vitin e largët 1990. Por tashmë distanca e shkurtuar me vetëm tri pikë larg ndjekësit Manchester City shton ethet për kryesuesit e tabelës së klasifikimit, duke e bërë real rrezikun që skuadra e Jurgen Klopp të zbresë në vendin e dytë pas sfidës ndaj Bournemouthit.

Në këtë kontekst, nëse Liverpooli do të gjendej duke diskutuar sërish titullin pas 29 vitesh pritjeje për trofeun anglez, atëherë do të shtrohej edhe çështja e dyshimeve lidhur me qëndrimin e emrave të mëdhenj që militojnë në këtë skuadër. Deri më tani nuk ka ndonjë të dhënë që Salah të mendojë për ndonjë transferim të mundshëm, përveç spekulimeve rutinë që e lidhin atë me Real Madridin, dhe për më tepër rinovimi i kontratës mes palëve ndodhi në vitin 2018.

Gjithsesi, pa një indicie të saktë për objektivin titull situata mund të ndryshojë shumë shpejt. Salah, Roberto Firmino apo Sadio Mane kanë arsye për të qëndruar, por në rast se ambiciet e tyre nuk do të përmbusheshin, sigurisht që hipoteza e largimit do të bëhej një pistë e hapur. Sezoni rezervon ende surpriza, ndaj mbetet për t’u parë nëse “The Reds” do t’ia dalin të arrijnë triumfin e madh.