Sabit Geci: Nëse del se kam gisht në vrasjen e shokëve të Gani Gecit, 9 gjaqe ua kam borxh

Ish- komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sabit Geci, ka folur për raportet e trazuara me ish-bashkëluftëtarin dhe ish-deputetin Gani Geci.

Sabit Geci, në RTV Dukagjini me Ermal Panduri në RTV Dukagjini, ka thënë se Ganiu mund të mendojë çfarë të dojë, por ai nuk ka gisht në vrasjen e dy shokëve të tij, gazetarin Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

“Në momentin kur janë vrarë shokët e Ganiut dhe është plagosur vet ai, unë kam qenë në burg të kategorisë A. Edhe vizitat që më janë bërë i kam pasur përmes xhamave dhe nuk kam pasur rast as dorën familjes t’ia jap”.

Ish- komandanti i Zonës Operative të Drenicës ka thënë se nëse vërtetohet se ai ka gisht në vrasjen e shokëve të Ganiut, i detyrohet atij nëntë gjaqe.

“Nëse del se kam gisht në vrasjen e shokëve të tij, dhe plagosjen e vet Ganiut, nëntë gjaqe ua kam borxh. Por, edhe nëse del që nipi im është i përfshirë në atë rast, prapë nëntë gjaqe ua kam borxh”, tha Geci, përcjell Telegrafi.

Sabit Geci ka thënë se edhe Imer Imerit ia ka nëntë gjaqe borxh, nëse vërtetohet përfshirja e tij në vrasjen e vëllait të tij, Haki Imerit.

“Nuk më intereson mua kush i ka vrarë. Unë nuk jam gjykatë që t’i zbulojë ato raste. Asnjëherë për këto raste nuk më ka pyetur EULEX-i, sepse e di që nuk kam gisht”.

Sabit Geci ka dhënë edhe një deklaratë interesante duke thënë se grupi që ka vrarë shokët e Gani Gecit, ka tentuar ta vrasë edhe vetë atë, pasi, sipas tij, kanë dashur të fshehin gjurmët.

“Kam informacione të sakta se grupi që kanë marrë pjesë në atentatin ndaj Gani Gecit, kanë dashur të më vrasin edhe mua. Edhe një milion hetues nëse vijnë unë nuk do t’i bëj publike emrat e tyre. Ata kishin frikë nga unë, se unë po u zbulojë të bëmat e tyre”, deklaroi Geci.