Sa u lirua nafta në Kosovë dhe si pritet të jetë ditëve në vijim, flet Berjani

Ditëve të fundit është vërejtur dukshëm ulja e çmimit të naftës. Por a pritet të ketë rënie edhe në vazhdim, për Gazetën Express ka folur Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Rënie rekord e çmimit të naftës është vënë re në muajin dhjetor në Kosovë, sipas Berjanit që nga nëntori deri më sot kemi rënie të çmimit për 30 cent për litër.

Ai ka treguar arsyet se si erdhi deri te lirimi i naftës.

“Çmimet kanë ra në tregjet ndërkombëtare dhe në Bursë dhe kemi prodhim të shtuar në organizatën prodhuese OPEK, kjo ka ndiku në rënië dhe ka reflektuar edhe te ne në Kosovë. Trendi është në rënie. Nga fillimi i muajit nëntor deri më sot kemi rënie të çmimit për 30 cent për litër. Si do të jenë çmimet në vijim nuk mundemi me paragjyku shkaku se ka lëvizje në Bursë”, tha Berjani për Gazetën Express.

I pyetur se sa kushton nafta dhe benzina sot në Kosovë, ai tha se çmimet sillen kështu:

“Çmimet janë të ndryshme në tregun kosovar. Dizeli është nga 1.38 deri 1.47cent dhe beznina 1.29 deri 1.38 cent”.

Ai shprehu shqetësim se meqenëse kemi rënie të çmimit të naftës, çmimet e produkteve bazike vazhdojnë të jenë njësoj.

“Kosova është treg i lirë dhe i hapur me konkurencë të madhe në treg. Jemi shteti më i vogël në botë me ma së shumti pika karburanti. Të gjitha produktet janë shtrenjtu në emër të naftës e tash kemi rënie të çmimit të naftës por shporta e qytetarit nuk po ulet”, përfundoi ai.

Në kohën kur pati rritje të madhe të çmimeve të derivateve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte vendosur çmim tavan për produktet e karburanteve dhe që i përcaktonte çdo 24 orë.