Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu ka bërë një thirrje publike drejtuar mërgatës kosovare që të regjistrohet për të votuar në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e madhe që vota e tyre ka për proceset politike në vend.

Sipas Shehut, afati për regjistrim për votim nga jashtë Kosovës është i hapur deri më 6 dhjetor 2025, dhe ai ka inkurajuar mërgimtarët të veprojnë sa më shpejt. Ai u ka kërkuar qytetarëve të shpërndajnë njoftimin dhe të motivojnë familjarët e tyre që të regjistrohen.

“Secila votë nga Mërgata është një mesazh dashurie dhe përgjegjësie ndaj vendit tonë,” ka shkruar Shehu, duke theksuar rolin e rëndësishëm historik të diasporës në zhvillimet e Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se mënyra e regjistrimit dhe detajet e plota gjenden në uebfaqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: diaspora.kqz-ks.org.

Në reagimin e tij, Shehu ka përmendur edhe sfidat aktuale politike dhe institucionale në vend, duke vlerësuar se zgjedhjet e ardhshme mund të kenë peshë të veçantë si për subjektet politike, përfshirë LDK-në, ashtu edhe për shtetin e Kosovës në përgjithësi.